AP

AP

Sipas një raporti të gazetës britanike "The Guardian" më 2 nëntor, disa republikanë dhe grupe biznesi në ShBA po bëjnë presion për lehtësimin e ligjeve të punës së fëmijëve për t'i lejuar të miturit të punojnë me orë më të gjata.

Kohët e fundit, lajmet për rekrutimin e fëmijëve 14-15 vjeç në Pensilvani, Misuri, Ohajo dhe Oregon të Shteteve të Bashkuara për t'i mbijetuar "mungesës së forcës punëtore" gjatë epidemisë shfaqen herë pas here. Disa restorante, parqe argëtimi dhe tregtarë sezonalë nuk e kanë fshehur varësinë e tyre nga punëtorët e mitur.

Sipas të dhënave nga Zyra Amerikane e Statistikave të Punës, këtë verë, mbi 32 % e adoleshentëve amerikanë bënë një punë verore, që është niveli më i lartë që nga viti 2008. Është gjithashtu hera e parë në historinë e vendit që shkalla e punësimit për grupmoshën 16 -19 vjeç është më e lartë se ajo e grupmoshës 20-24 vjeç. Studimet kanë treguar se orët e gjata të punës me kohë të pjesshme gjatë shkollës së mesme kanë një ndikim negativ në rezultatet akademike dhe sjelljen e adoleshentëve.

Aktualisht, disa politikanë amerikanë po ushtrojnë trysni për lehtësimin e kufizimeve të punës së fëmijëve. Sipas raporteve, në shtetin e Ohajos tre republikanë dhe një demokrat paraqitën kohët e fundit një projektligj për të rregulluar kohën e kufizimit të orarit të punës së fëmijëve nën moshën 16 vjeç gjatë shkollës nga jo më vonë se ora 19:00 në jo vonë se ora 21:00.