Gjermania është prekur nga një pandemi masive e të pavaksinuarve, paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn.

Ai bëri thirrje për një shtrëngim të masave për të frenuar rigjallërimin e rasteve me Covid-19 në vend, raporton agjencia e lajmeve “AFP”.

“Aktualisht po përjetojmë një pandemi kryesisht të të pavaksinuarve dhe kjo është masive. Shtretërit në kujdesin intensiv të spitaleve kanë filluar të mbarojnë sërish”, -theksoi Spahn.

Më shumë se 66% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, por Spahn shprehu zhgënjimin që marrja e injektimeve është ngadalësuar dhe se një grup i konsiderueshëm i moshave 18 deri në 59 vjeç mbeten të pavaksinuar. Ai gjithashtu bëri thirrje për kontrolle më të ashpra në institucionet ose aktivitetet ku lejohen të hyjnë vetëm ata që mund të tregojnë se janë vaksinuar, janë shëruar nga Covid-19 ose kanë rezultuar negativë së fundmi. (Elona)