Më shumë se 100 liderë botërorë kanë premtuar t'i japin fund dhe të ndryshojnë shpyllëzimin deri në vitin 2030, në marrëveshjen e parë të madhe të samitit të klimës COP26.

Premtimi përfshin pothuajse 14 miliardë paund (rreth 19.2 miliardë dollarë) fonde publike dhe private, bën të ditur “BBC”.

Ekspertët e mirëpritën masën, por paralajmëruan se një marrëveshje e mëparshme në vitin 2014 kishte dështuar të ngadalësonte shpyllëzimin.

Prerja e pemëve kontribuon në ndryshimin e klimës sepse varfëron pyjet që thithin sasi të mëdha CO2-shi. Vendet që kanë nënshkruar zotimin, duke përfshirë Kanadanë, Brazilin, Rusinë, Kinën, Indonezinë, Republikën Demokratike të Kongos, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, mbulojnë rreth 85% të pyjeve të botës.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, i cili po pret takimin global në Glasgow, tha se për këtë marrëveshje ishin angazhuar më shumë liderë se kurrë më parë.

"Ne duhet të ndalojmë humbjen shkatërruese të pyjeve tona. T'i japim fund rolit të njerëzimit si pushtues i natyrës dhe në vend të kësaj të bëhemi kujdestari i natyrës", -tha ai.

Samiti dyjavor në Glasgow shihet si vendimtar nëse ndryshimi i klimës do të vihet nën kontroll. (Elona)