Samiti i G20-s në Romë përfundoi me miratimin e një deklarate që rikonfirmon rolin vendimtar të multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në tejkalimin e sfidave globale që dalin nga pandemia Covid-19, njofton “Xinhua”.

Deklarata e liderëve të G20-s premton të forcojë reagimin e përbashkët ndaj pandemisë dhe të hapë rrugën për një rimëkëmbje globale, me shqetësim të veçantë për më të cenuarit.

Udhëheqësit e ekonomive kryesore të botës janë zotuar të përdorin të gjitha mjetet e disponueshme për të adresuar pasojat e pandemisë, për të mbështetur rimëkëmbjen dhe për të qëndruar vigjilentë ndaj sfidave globale si ndërprerja e zinxhirit të furnizimit.

Duke theksuar rolin thelbësor të vaksinave në luftën kundër pandemisë, ata u zotuan se do të avancojnë përpjekjet për të siguruar akses në kohë, të barabartë dhe universale në vaksina, terapi dhe diagnostikime të sigurta, të përballueshme, cilësore dhe efektive, duke marrë parasysh veçanërisht nevojat e të ulëta dhe vendet me të ardhura mesatare.

Lidhur me ndryshimet klimaterike, liderët mbeten të përkushtuar ndaj qëllimit të Marrëveshjes së Parisit për të mbajtur rritjen mesatare globale të temperaturës nën 2 gradë celsius dhe për të vazhduar përpjekjet për ta kufizuar atë në 1.5 gradë celsius mbi nivelet para-industriale.

"Ky samit ishte një sukses", -tha kryeministri italian Mario Draghi në konferencën përmbyllëse për shtyp, duke shtuar se bashkëpunimi është thelbësor për çështje si klima, pasuria dhe varfëria.

"Forma e bashkëpunimit që ne e njohim më mirë është multilateralizmi", -tha Draghi, duke u bërë thirrje anëtarëve të G20-s që të veprojnë së bashku me shpejtësi. (Fatosi)