Gjermani në pandemi(Foto:VCG)

Gjermani në pandemi(Foto:VCG)

Në Gjermani po rriten ndjeshëm shifrat e të infektuarve me koronavirus, gjë që po ndihet edhe në pavijonët e trajtimit intensiv. Instituti Robert Koch paralajmëroi rrezik të lartë të infektimit, si dhe rekomandoi me urgjencë vaksinim, testim dhe reduktim të kontakteve, raporton “Deutsche Welle”.

“Për shkak të treguesit aktual të infektimeve në shtatë ditë, ekziston një probabilitet më i madh i kontakteve infektuese”, -thuhet në raportin e fundit të Institutit RKI, duke rekomanduar me urgjencë që njerëzit të vaksinohen kundër Covid-19 dhe të kujdesen që të kenë mbrojtjen e plotë.

Në raportin javor të RKI theksohet se tendenca e rritjes e infektimeve vërehet në të gjitha grupmoshat.

Sipas RKI, numri i të vaksinuarve është rritur shumë pak në javët e shkuara. Duke u bazuar në llogaritjet e veta, RKI konstaton se ka një efekt të dukshëm të vaksinimeve kundër virusit në pengimin e sëmundjes dhe shtrimet në spitale.

Kryetari i Shoqërisë së Spitaleve Gjermane, Gerald Gas, u shpreh, se brenda një jave janë shtruar më shumë pacientë me virus në spitale, duke shtuar: “Nëse kjo tendencë vazhdon, kemi për dy javë sërish 3000 pacientë në pavionët e trajtimit intensiv”.

Presidenti i Shoqatës së Mjekëve të Intensivit, Gernot Marx, deklaroi se aktualisht të gjithë pacientët po trajtohen plotësisht, por për këtë diku refuzohen operacione të tjera apo tërhiqet personeli i infermierisë nga pavionë të tjerë. Ministri i Shëndetësisë së landit Badeny-Vyrtemberg, Manfred Luscha, tha se të pavaksinuarit janë përgjegjës për 80% të infektimeve dhe me këtë natyrisht edhe për gjendjen e tensionuar në pavionët e trajtimit intensiv. (Irma)