Moti ekstrem(Foto:VCG)

Moti ekstrem(Foto:VCG)

Indeksi vjetor i riskut të klimës për 2021 tregoi më shumë stuhi të fuqishme me të cilat po përballen njerëzit, që po aq fort kanë goditur ekonomitë, me shtetet e varfëra që vuajnë më shumë nga këto fenomene të motit ekstrem.

Indeksi për këtë vit tregoi se Porto Riko dhe Mianmari janë vendet më të prekura nga moti ekstrem, me ngjarje të rënda nga viti 2000 deri në 2019, ndjekur më pas nga Haiti, Filipinet, Mozambiku, ishujt Bahamas, Bangladeshi, Pakistani, Tajlanda dhe Nepali, raporton “A2”.

Për vitin 2019, Mozambiku dhe Zimbabve janë goditur më fort nga fenomenet e motit ekstrem. Të dy vendet u prekën nga cikloni më i fortë dhe vdekjeprurës Idai, që u regjistrua në jugperëndim të Oqeanit Indian.

Stuhi dhe efektet e tyre, erëra të forta, shira të rrëmbyeshëm, përmbytje, janë shkaqet kryesore të dëmeve të shënuara nga moti ekstrem gjatë kësaj dekade. Ishujt Karaibe u përfshinë gjithashtu mes 10 vendeve më të goditura nga uragani Dorian.

Sipas Germanwatch, që përpiloi indeksin e riskut nga klima, forca dhe numri i stuhive tropikale dhe cikloneve do të rriten edhe më tej, me çdo gradë që rritet temperatura globale. Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, vetëm në 2020, një nga 3 vitet më të nxehta në histori, temperatura globale u rrit me 1,2 gradë celcius. (Irma)