Shkencëtarët mund të kenë zbuluar shenja të një planeti që kalon një yll jashtë Rrugës së Qumështit, në atë që mund të jetë planeti i parë që do të zbulohet ndonjëherë jashtë galaktikës sonë.

Ekzoplaneti i mundshëm u zbulua në “Galaxy Whirlpool”, galaktika spirale Messier 51 (M51), nga Observatori i NASA-s me rreze X Chandra, njoftoi Agjencia Hapësinore amerikane, citon “CNN”.

Një ekzoplanet është një planet jashtë sistemit tonë diellor që normalisht rrotullohet rreth një ylli të ndryshëm nga Dielli në galaktikën tonë. Deri tani, të gjithë ekzoplanetët e tjerë janë gjetur në Rrugën e Qumështit dhe shumica e tyre janë gjetur më pak se 3000 vite dritë nga Toka.

Ky ekzoplanet i mundshëm i sapo zbuluar në “Galaxy Whirlpool” do të ishte rreth 28 milionë vite dritë larg, mijëra herë më larg se ata në Rrugën e Qumështit.

“Ne po përpiqemi të hapim një arenë krejtësisht të re për gjetjen e botëve të tjera duke kërkuar për planetë kandidatë në gjatësitë e valëve të rrezeve X, një strategji që bën të mundur zbulimin e tyre në galaktika të tjera”, -deklaroi Rosanne Di Stefano, pedagoge astronomie në Qendrën për Astrofizikë në “Harvard & Smithsonian” në Kembrixh, Massachusetts, e cila drejtoi studimin. (Irma)