Foto:Visual People

Foto:Visual People

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e rihapjes së misionit diplomatik në Afganistan, deklaroi për “Radion Evropa e Lirë” Nabila Massrali, zëdhënëse e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Ajo për të cilën po angazhohet BE-ja tani është krijimi i një pranie minimale në terren”, -tha ajo.

“Financial Times” ka raportuar se Bashkimi Evropian po synon të rihapë brenda një muaji përfaqësinë diplomatike në Afganistan, në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për t’u përballë me administratën e talebanëve. Por, zëdhënësja e BE-së nuk përmendi afate kohore. Ajo tha se një rivendosje e pranisë në Afganistan nuk përbën njohje zyrtare për administratën e talebanëve.

Talebanët morën kontrollin e Afganistanit në fund të muajit gusht pas tërheqjes së forcave ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

BE-ja, sipas zëdhënëses Massrali synon që përmes një pranie në këtë vend të mundësojë ndihmën për afganët në nevojë dhe gjithashtu t’u ofrojë ndihmë shtetasve të BE-së të cilët duan të largohen nga vendi. (Irma)