Foto:Visual People

Foto:Visual People

Presidenti iranian Ebrahim Raisi akuzoi SHBA-në për krijimin e situatës aktuale në Afganistan, gjatë fjalimit në Konferencën për Afganistanin në Teheran, ku morën pjesë zyrtarë nga Irani, Rusia, Kina, Pakistani, Uzbekistani, Turkmenistani dhe Taxhikistani, cituar nga agjencia e lajmeve “Tasnim”, përcjellë nga mediet botërore.

“Shpresojmë që ky samit të dëbojë amerikanët nga rajoni dhe të gjejë një zgjidhje për problemet në Afganistan”, -tha presidenti iranian.

Ministri i Jashtëm i Iranit Hossein Amirabdollahian e konsideroi SHBA-në përgjegjëse për dy dekada fatkeqësi në vend, duke deklaruar se Uashingtoni zyrtar duhet të ndërmarrë hapa të nevojshëm së bashku me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur mënyra për të çliruar popullsinë afgane nga sfidat dhe vuajtjet.

Amirabdollahian theksoi gjithashtu se është e nevojshme të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Afganistanit. (Irma)