Foto: VCG

Foto: VCG

Me rastin e takimit të liderëve të G20-s, 48 ambasadorë dhe mbështetës të UNICEF-it, në një letër të hapur, u kërkojnë vendeve që të dorëzojnë dozat e tepërta të vaksinës kundër Covid-19 brenda dhjetorit.

Sipas një analize të re të UNICEF-it, vendet e G20-s kanë marrë 15 herë më shumë doza të vaksinës Covid-19 për frymë sesa vendet e Afrikës Sub-Sahariane, shkruan “Ansa”.

Sondazhi, i kryer nga kompania e analizave shkencore “Airfinity”, zbulon pabarazinë në aksesin ndaj vaksinave midis vendeve me të ardhura të larta dhe atyre me të ardhura të ulëta, veçanërisht në Afrikë.

"Pabarazia në aksesin ndaj vaksinave nuk po pengon vetëm vendet më të varfra, por po pengon të gjithë botën”, -tha Henrietta Fore, drejtoreshë e përgjithshme e UNICEF-it, ndërsa liderët takohen për të përcaktuar prioritetet për fazën tjetër të përgjigjes ndaj Covid 19. “Është thelbësore të kujtojmë se në garën për vaksinën Covid, ne ose fitojmë së bashku ose humbasim së bashku", -tha ajo. Vendet e pasura me më shumë furnizime sesa kanë nevojë, njoftoi UNICEF në një shënim, janë zotuar t'i dhurojnë këto doza për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme përmes Covax, por dozat e premtuara po transferohen shumë ngadalë.

Nga 1.3 miliardë doza shtesë që vendet u zotuan të dhuronin, vetëm 194 milionë iu dhanë Covax.

Vendet afrikane, në veçanti, kanë mbetur kryesisht pa akses në vaksinat Covid-19. Më pak se 5% e popullsisë afrikane është plotësisht e vaksinuar, duke lënë shumë vende në rrezik të lartë për epidemi të mëtejshme. (Elona)