Foto:VCG

Foto:VCG

Ministria e Shëndetësisë e Republikës Çeke ka miratuar njohjen e certifikatës digjitale të vaksinës që lëshohet nga autoritetet kompetente shqiptare.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në Pragë, e cila thekson gjithashtu se Republika Çeke ka lehtësuar masat për shtetasit shqiptarë duke hequr kërkesën për karantinë.

Ambasada e Shqipërisë në Pragë njoftoi se nga data 27 tetor kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për hyrjen në Republikën Çeke të udhëtarëve që vijnë nga Shqipëria, e cila është e shënuar me ngjyrë të kuqe të errët.

“Personat e pavaksinuar, pas mbërritjes në Republikën Çeke duhet të kryejnë një test PCR (jo më shpejt se dita e 5-të dhe jo më vonë se dita e 7-të pas mbërritjes). Ndërkohë, nuk është i nevojshëm izolimi në karantinë, por duhet të mbajnë maskë sa herë dalin nga shtëpia”, -thekson ambasada.

“Përjashtohen nga testi personat që janë plotësisht të vaksinuar me një nga vaksinat e miratuara nga BE-ja dhe të pajisur me një certifikatë e vaksinimi, që njihet nga Republika Çeke, por nuk përjashtohen nga detyrimi për të plotësuar formularin e mbërritjes së pasagjerit. Fëmijët nën 12 vjeç përjashtohen edhe nga testi edhe nga detyrimi për plotësimin e formularit të mbërritjes së pasagjerit”, -thekson njoftimi.

Gjithashtu njoftohet se duke filluar nga data 25 tetor 2021, maskat respiratore bëhen të detyrueshme në të gjitha mjediset e brendshme, pavarësisht numrit të personave te pranishëm. Vazhdojnë të jenë të detyrueshme maskat në transportin publik. (Elona)