Foto:VCG

Foto:VCG

Të moshuarit mund të përballen me një sezon të vështirë të gripit. Pandemia e Covid-19, e cila vijon të mbetet shqetësuese për sistemin shëndetësor, mund ta rëndojë edhe më shumë situatën. “Zbulimi i hershëm i virusit të gripit sezonal është një tregues se sezoni i ardhshëm i gripit mund të jetë serioz, megjithëse ende nuk mund ta dimë me siguri”, -tha Pasi Penttinen, kreu i programit për gripin i Qendrave Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

“Një rritje e mprehtë e infeksioneve të gripit gjatë pandemisë aktuale Covid 19 mund të ketë pasoja serioze për të moshuarit dhe personat me sistem të dobët imunitar, me një ngarkesë shtesë në sistemet shëndetësore tashmë të tendosura. Prandaj është e rëndësishme të merren masat e nevojshme dhe të mbrohen ata që janë më të rrezikuarit”, -thuhet në një shënim nga agjencia e BE-së.

Në këtë fazë, vaksinimi është i rëndësishëm, por duhet të respektohen edhe masat e tjera jofarmaceutike, si maskat dhe distancat, shkruan “Ansa”.

Sipas ECDC, rënia e infeksioneve të gripit në 2020-2021, më shumë se 99 për qind më e ulët se norma, tregon se ndërhyrjet jofarmaceutike, si shmangia e grumbullimeve të panevojshme dhe masat higjienike, nuk janë efektive vetëm në frenimin e përhapjes së SARS-CoV-2, por edhe të gripit. (Elona)