Foto:VCG

Foto:VCG

Një raport i ri i Komisionit Evropian ka treguar se, për herë të parë, burimet e rinovueshme të energjisë kanë kaluar karburantet fosile si burim kryesor energjie në Bashkimin Evropian.

Raportet e Gjendjes së Bashkimit për vitin 2021, publikuar nga Komisioni Evropian, tregojnë se burimet e rinovueshme prodhojnë 38 për qind të energjisë elektrike në BE, krahasuar me 37 për qind për lëndët djegëse fosile.

Raporti vjen ndërsa shtetet anëtare të BE-së luftojnë për të mbrojtur qytetarët dhe biznesin e cenueshëm nga rritja e çmimeve të energjisë.

Një takim në Luksemburg të martën dështoi të arrinte një marrëveshje mbi masat afatgjata për të trajtuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit, pavarësisht se Spanja, Greqia dhe Franca po nxisin për reforma të tregut.

Duke shpallur raportin, KE-ja sqaroi se ndërkohë që progresi në një numër tendencash klimaterike është inkurajues, përpjekje më të mëdha do të kërkohen për të arritur objektivin e vitit 2030 për uljen e emetimeve neto me të paktën 55 për qind dhe arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.

Përveç raportimit për një rënie në subvencionet e karburanteve fosile dhe një rritje në mbështetjen e energjisë së rinovueshme, raporti zbuloi se emetimet e gazeve serrë nga 27 shtetet anëtare të BE-së në vitin 2020 ranë me pothuajse 10 për qind, e krahasuar me 2019-n, duke reflektuar ndikimin e pandemisë së Covid-19. (Elona)