Foto:VCG

Foto:VCG

Udhëheqësit në industrinë botërore të turizmit bënë thirrje për akses më të madh ndaj vaksinave të Covid 19 për të lehtësuar rimëkëmbjen e industrisë globale të udhëtimit në vazhdën e pandemisë.

Duke folur në Samitin Botëror të Ardhmërisë së Turizmit, i cili u mbajt në Barcelonë në 26-27 tetor, Rebeca Grynspan, sekretarja e përgjithshme e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin komentoi se sektori nuk do të rimëkëmbet derisa të vaksinohen të gjithë edhe në vendet në zhvillim, bën të ditur “Xinhua”.

Ajo theksoi se vetëm rreth 3 për qind e popullsisë së vendeve më pak të zhvilluara janë vaksinuar plotësisht, krahasuar me mbi 70 për qind në botën e zhvilluar.

“Kjo mungesë vaksinash dhe kjo pabarazi është pjesë e problemit të turizmit, ndaj duhet të lehtësojmë aksesin në vaksina”, -tha ajo.

Përfaqësuesit theksuan gjithashtu nevojën që protokollet shëndetësore të standardizohen për të lehtësuar udhëtimet ndërkombëtare.

Pandemia ushtroi një efekt gjymtues në industrinë e turizmit, me udhëtarët ndërkombëtarë që u ulën me rreth 900 milionë, megjithatë viti i ardhshëm shihet me optimizëm.

Samiti mbledh së bashku ministrat e turizmit nga mbi një duzinë vendesh, së bashku me drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe më shumë se 130 përfaqësues, të cilët po marrin pjesë në mbi 25 debate dhe diskutime në tryeza të rrumbullakëta gjatë dy ditëve. (Elona)