Foto:VCG

Foto:VCG

Një raport i publikuar nga Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) tregon se India humbi 87 miliardë dollarë amerikanë vitin e kaluar për shkak të fatkeqësive natyrore, si ciklonet tropikale, përmbytjet dhe thatësirat.

OBM citoi vlerësimet e Komisionit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara për Azinë dhe Paqësorin (ESCAP) në raportin e saj.

Sipas raportit, ciklonet intensive, shirat e musonit dhe përmbytjet goditën zonat shumë të ekspozuara dhe me popullsi të dendur në Azinë Jugore dhe Azinë Lindore dhe zhvendosën miliona njerëz në Kinë, Bangladesh, Indi, Japoni, Pakistan, Nepal dhe Vietnam në vitin 2020, bën të ditur “Xinhua”.

"Ciklon Amphan, një nga ciklonet më të fortë të regjistruar ndonjëherë, goditi rajonin Sundarbans midis Indisë dhe Bangladeshit në maj 2020, duke zhvendosur 2.4 milionë njerëz në Indi dhe 2.5 milionë njerëz në Bangladesh", -thuhet në raport.

Sipas raportit, Kina regjistroi humbjen më të madhe me 238 miliardë dollarë, e ndjekur nga 87 miliardë dollarë në Indi. Japonia renditet në vendin e tretë me një humbje të regjistruar prej 83 miliardë dollarësh.

Raporti u publikua vetëm disa ditë përpara një samiti të udhëhequr nga OKB për ndryshimet klimatike, COP26, që është planifikuar të fillojë në Glasgow, Skoci. (Elona)