Foto:VCG

Foto:VCG

Greqia kërkon shtimin e përpjekjeve nga vendet e BE-së për një perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, tha në Londër se evropianët duhet t’u ofrojnë një perspektivë të qartë inkuadruese vendeve të Ballkanit Perëndimor, bën të ditur “ATSH”.

Shefi i diplomacisë greke, duke e shpjeguar qëndrimin e tij, theksoi se nuk e ka fjalën që vendet e rajonit të hyjnë nesër në Bashkimin Evropian, por për një perspektivë shumë të qartë, e cila do të vepronte si nxitje për vendet.

“Greqia ndodhet në udhëkryq nga dy rajone, Ballkani dhe Lindja e Mesme, të cilat kanë kaluar konfliktet më të përgjakshme dhe më brutale të 100 viteve të fundit”, -shtoi ai.

Dendias u takua me shefen e diplomacisë britanike, Elizabeth Truss, me të cilën bisedoi për një sërë temash, si gjendja në Ballkan, çështja qipriote, Mesdheu Lindor, investimet dhe marrëdhëniet dypalëshe. (Elona)