Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të hënën në kryeqytetin e Katarit, Dohë, me Mullah Abdul Ghani Baradarin, zëvendëskryeministër në detyrë i qeverisë së përkohshme talebane.

Gjatë takimit, Wang tha se Afganistani, që gjendet në një fazë kritike të kalimit nga kaosi në qeverisje, po përballet me një mundësi historike për të marrë në dorë vërtet fatin e vet, për të arritur pajtimin e tolerancën dhe për të çuar përpara rindërtimin kombëtar.

Në të njëjtën kohë, Afganistani po përballet me sfida të katërfishta: krizë humanitare, kaos ekonomik, kërcënime terroriste dhe vështirësi në qeverisje, tha ai, duke shtuar se tejkalimi i këtyre sfidave kërkon më shumë mirëkuptim e mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare.

Kina respekton gjithmonë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Afganistanit dhe e mbështet popullin afgan që të vendosë vetë fatin e tij dhe të zgjedhë rrugën e zhvillimit në mënyrë të pavarur.

Kina, e cila kurrë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të Afganistanit dhe kurrë nuk ka kërkuar përfitime egoiste apo sferë ndikimi, ndjek me vendosmëri një politikë miqësore ndaj të gjithë popullit afgan dhe mbështet përpjekjet për rivendosjen e stabilitetit dhe rindërtimin e vendit, vuri në dukje kryediplomati kinez.

Përballë vështirësive humanitare me të cilat përballet Afganistani, Wang u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit në tërësi të heqin sanksionet dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen me talibanët afganë në një mënyrë racionale e pragmatike, për ta ndihmuar Afganistanin të nisë rrugën e zhvillimit të shëndetshëm. .

Wang theksoi se "Lëvizja Islamike e Turkestanit Lindor" (ETIM), një organizatë terroriste ndërkombëtare e listuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, jo vetëm që përbën një kërcënim real për sigurinë kombëtare dhe integritetin territorial të Kinës, por gjithashtu rrezikon stabilitetin e brendshëm dhe paqen afatgjatë të Afganistanit.

Ai shprehu shpresën dhe besimin se talibanët afganë do të bëjnë një ndarje të qartë nga ETIM-i e organizata të tjera terroriste dhe do të marrin masa efektive për t'i goditur me vendosmëri ato.

Nga ana e tij, Baradari e informoi Wang-un për situatën në Afganistan, për të cilën ai tha se është nën kontroll dhe duke u përmirësuar.

Qeveria e përkohshme afgane po punon shumë për të përmbushur nevojat e njerëzve dhe do të mësojë nga përvoja e saj historike për të ndjekur një rrugë zhvillimi në përputhje me kushtet e saj kombëtare, tha Baradar.

Ai shtoi që qeveria ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë masa gjithëpërfshirëse për të zgjeruar përfaqësimin, duke përmendur se shumica e zyrtarëve dhe teknokratëve të qeverisë së mëparshme kanë qëndruar në detyrë dhe më shumë talente të të gjitha grupeve etnike do të rekrutohen për të marrë pjesë në qeverisje në të ardhmen.

Baradari vuri në dukje se talibanët afganë janë të gatshëm të forcojnë përpjekjet për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e grave e fëmijëve dhe nuk do t'i privojnë ata nga të drejtat për arsim dhe punë.