Foto:Visual People

Foto:Visual People

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se ai udhëzoi ministrin e jashtëm turk të shpallte 10 ambasadorë të vendeve perëndimore në kryeqytetin Ankara si "persona non grata", pasi ata bënë një deklaratë të përbashkët për lirimin e një biznesmeni të burgosur, shkruan “Xinhua”.

“I dhashë urdhrin e nevojshëm ministrit të Jashtëm. Unë thashë se çfarë duhet bërë. Këta 10 ambasadorë duhet të shpallen “persona non grata””, -tha Erdogan gjatë një fjalimi në provincën qendrore Eskisehir.

Të martën, ministria e Jashtme turke thirri ambasadorët e 10 vendeve lidhur me një deklaratë të përbashkët ku kërkonin lirimin e aktivistit dhe biznesmenit Osman Kavala.

“Së bashku, ambasadat e Kanadasë, Francës, Finlandës, Danimarkës, Gjermanisë, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë, Suedisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës besojnë se një zgjidhje e drejtë dhe e shpejtë e çështjes së tij duhet të jetë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe të brendshme të Turqisë. Duke vënë në dukje vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për këtë çështje, ne i bëjmë thirrje Turqisë që të sigurojë lirimin e tij urgjent", -thanë ambasadorët të hënën.

Kavala u lirua në vitin 2020 nga akuzat lidhur me protestat mbarëkombëtare të Gezi në vitin 2013. Por vendimi i tij u rrëzua dhe u kombinua me një hetim për një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016 me akuzën e spiunazhit. (Fatosi)