“Biletë pa kthim drejt fatkeqësisë” e quajti shefi i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres situatën aktuale të klimës në botë, duke përsëritur urgjencën e marrëveshjes në konferencën e klimës në fund të muajit.

Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimaterike e vitit 2015, e arritur në samitin COP21, bëri thirrje që ngrohja globale të ulet nën 2 gradë mbi nivelin paraindustrial.

Por vlerësimet aktuale të OKB-së tregojnë për një ngrohje katastrofike prej 2.7oC, bën të ditur “Al Jazeera”. Guterres tha se një rritje e tillë ishte "qartësisht një biletë me një drejtim për fatkeqësi".

“Ndotja e karbonit e një grushti vendesh e ka gjunjëzuar njerëzimin dhe ata mbajnë përgjegjësinë më të madhe”, -tha ai në një konferencë për shtyp në internet me anëtarët e projektit ndërkombëtar “Covering Climate Now”.

“Shpresoj se jemi ende në kohë për të shmangur një dështim në Glasgow, por koha po kalon dhe gjërat po bëhen më të vështira dhe kjo është arsyeja pse unë jam shumë i shqetësuar. Kam frikë se gjërat mund të shkojnë keq”, -tha ai.

Samiti i Glasgow-t fillon më 31 tetor dhe shihet si vendimtar për të rënë dakord për objektivat e emetimeve në mbarë botën që do të ngadalësojnë ngrohjen globale. (Irma)