Parlamenti Evropian kërkon një legjislacion për ta bërë më transparent procesin e kërkimit, blerjes dhe shpërndarjes së vaksinave kundër Covid-19. Në një raport të miratuar me 458 pro, 149 kundër dhe 86 abstenime, eurodeputetët propozojnë që Eurodhomës t'i jepen mjetet për të verifikuar në mënyrë më efektive politikat e BE-së për vaksinat, citon “Ansa”.

Për të përmirësuar nivelin e transparencës, në raport kërkohet që Komisioni Evropian të bëjë publike informacionin se kush merret me negociatat e prokurimit të vaksinave, duke publikuar kontratat e blerjes të bëra me furnitorët, duke përfshirë detajet e investimeve publike.

Eurodeputetët theksojnë se shpërndarja e më shumë informacioneve do të ndihmonte gjithashtu në trajtimin e skepticizmit dhe dezinformatave mbi këtë çështje.

Eurodhoma gjithashtu këmbëngul që kontratat e ardhshme të vaksinave të BE-së të përfshijnë klauzola për të rritur disponueshmërinë në të gjithë botën për të ndihmuar vendet joevropiane të luftojnë pandeminë dhe të përshpejtojnë procesin global të vaksinimit.