Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se pandemia e Covid-19 do të vazhdojë edhe për një vit më shumë nga sa ishte parashikuar, pasi vendet e varfra nuk po furnizohen me vaksinat kundër koronavirusit.

Drejtuesi i lartë i OBSH-së, Bruce Aylward, deklaroi se situata në vendet e varfra jep sinjale se kriza e pandemisë mund të vazhdojë edhe në vitin 2022. Ai theksoi se 5% e popullsisë së Afrikës është vaksinuar, krahasuar me 40% në shumicën e kontinenteve të tjera, raportojnë mediet botërore.

Aylward u bëri thirrje vendeve të pasura që të heqin dorë nga porositë e vaksinave, në mënyrë që kompanitë farmaceutike të mund t'u japin përparësi vendeve me të ardhura më të ulëta. (Irma)