Vetëm një në shtatë doza të vaksinës anti-Covid të premtuara në vendet më të varfra të botës janë dorëzuar, zbulon një raport i “People’s Vaccinealliance”, një koalicion grupesh që përfshin “Oxfam”, “ActionAid” dhe “Amnesty International”, citon “The Guardian”.

Nga 1.8 miliardë doza të premtuara nga vendet e pasura, vetëm 261 milionë (14%) kanë mbërritur në vendet me të ardhura të ulëta. Pothuajse një vit pasi vaksinat u vunë në dispozicion, vetëm 1.3% e njerëzve që jetojnë në pjesët më të varfra të botës janë plotësisht të vaksinuar.

Mbretëria e Bashkuar u zotua të dërgojë në kombe më të varfra 100 milionë doza, por deri tani ka dhënë 9.6 milionë, më pak se 10%. Kanadaja ka shpërndarë 3.2 milionë (8%) nga 40 milionë doza të premtuara. SHBA-ja ka dorëzuar dozat më të mëdha, gati 177 milionë, thuhet në raport.

Megjithatë, kjo është ende më pak se një e pesta (16%) e 1.1 miliardë dozave të premtuara. Ndërkohë, nga 994 milionë doza të premtuara nga nisma Covax, një sistem global i shpërndarjes së vaksinave, nga “Johnson & Johnson”, “Moderna”, “AstraZeneca” dhe “Pfizer/BioNTech”, vetëm 120 milionë (12%) janë dorëzuar deri më tani, sipas raportit. (Irma)