Në Rusi është diskutuar në lidhje me mundësinë e njohjes ndërkombëtare të lëvizjes talebane, deklaroi Zamir Kabulov, i dërguari presidencial rus për Afganistanin dhe drejtor i departamentit të dytë aziatik të ministrisë së Jashtme.

“Sigurisht që është diskutuar dhe në një moment mund të ndodhë, por do të ndodhë kur talebanët të fillojnë të përmbushin shumicën e pritshmërive të komunitetit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe gjithëpërfshirjen”, -tha Kabulov, cituar nga agjencia e lajmeve “Interfax”.

“Rusia njeh përpjekjet e administratës së re afgane për të stabilizuar situatën nga pikëpamja ushtarake dhe politike”, -deklaroi ministri i Jashtëm rus Serghei Lavrov, gjatë bisedimeve në Moskë për Afganistanin. Lavrov tha gjithashtu se Rusia është e kënaqur me nivelin e ndërveprimit me qeverinë e re të Afganistanit, por gjithashtu paralajmëroi Kabulin zyrtar që mos ta përdorë vendin si bazë për veprime kundër vendeve fqinje, duke parë se grupet terroriste të Shtetit Islamik dhe Al-Kaeda-s po përpiqen të përfitojnë nga paqëndrueshmëria e vendit.

Bisedimet përfshijnë përfaqësues të dhjetë vendeve në rajon, si dhe një delegacion të nivelit të lartë nga lëvizja talebane (e jashtëligjshme në Rusi). Konsultimet, të njohura si Formati i Moskës, filluan në vitin 2017 në bazë të një mekanizmi gjashtëpalësh që përfshin të dërguar specialë nga Rusia, Afganistani, India, Irani, Kina dhe Pakistani. (Irma)