Uganda mori të martën kontingjentin e dytë të vaksinave kundër COVID-19 të “Sinovac”-ut të dhuruara nga qeveria kineze.

Margaret Muhanga, ministrja e shtetit për Kujdesin Shëndetësor Parësor, i mori në dorëzim vaksinat në Entebe, 40 km në jug të kryeqytetit Kampala.

Ajo e përshëndeti dhuratën, teksa vendi i saj po zgjeron fushatën e vaksinimit për të shpëtuar jetë dhe për të hapur ekonominë.

"Është me të vërtetë një ditë emocionuese për ne, sepse po marrim më shumë doza të vaksinës së ‘Sinovac’-ut, që do të na ndihmojnë të vaksinojmë më shumë njerëz, për ta hapur ekonominë tonë plotësisht," tha ministrja.

Zhang Lizhong, ambasadori kinez në Ugandë, theksoi se dhurimi bëhet ndërsa të dy vendet kremtojnë 59-vjetorin e vendosjes së lidhjeve diplomatike mes tyre dhe është pjesë e angazhimit të Kinës për të ndërtuar një bashkësi globale të shëndetit për të gjithë.

Përveç dhurimit të 100 milionë dollarëve amerikanë për programin global të vaksinave të COVID-19 COVAX, Kina është zotuar të dhurojë 100 milionë doza shtesë vaksine për vendet e tjera në zhvillim këtë vit.(Artan)