Letonia ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin e saj me Bjellorusinë, ndërsa emigrantët vazhdojnë të përpiqen të hyjnë në vend, në atë që shihet gjerësisht si një përpjekje e koordinuar nga Minsku zyrtar në përgjigje të sanksioneve të BE-së.

Gjendja e jashtëzakonshme tani është në fuqi deri më 10 shkurt 2022, sipas “DW”.

Rojet kufitare të vendosura atje do të jenë ende të autorizuara për të kthyer emigrantët që kanë hyrë ilegalisht në vend nga Bjellorusia.

Letonia e shpalli fillimisht gjendjen e jashtëzakonshme në kufi më 11 gusht, në një masë që ishte parashikuar të zbatohej për tre muaj.

Që atëherë, sipas Ministrisë së Brendshme, gati 1800 persona janë ndaluar ndërsa përpiqeshin të kalonin ilegalisht kufirin.

Qeveritë në Letoni, Lituani dhe Poloni akuzojnë presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko, se ka lejuar me dashje refugjatë nga rajonet e krizës në kufirin e jashtëm të BE-së në mënyrë të organizuar.

Në përgjigje të sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian, Lukashenko tha në maj se Bjellorusia nuk do të parandalonte më emigrantët ilegalë që të përdornin vendin e tij si rrugë tranziti. (Elona)