Kina pret që vendet e zhvilluara me “borxhe historike mjedisore” të japin kontribut më të madh gjatë konferencës klimatike COP26 që do të zhvillohet këtë muaj në Gllasgou të Skocisë.

Kryenegociatori i Kinës për Klimën Xie Zhenhua dhe zv.ministri i Mjedisit Zhao Yingmin u thanë gazetarëve se Kina pret që vendet e ndryshme të vendosin dhe përmbushin objektiva ambiciozë në COP26.

"Vendet e zhvilluara me njëqind vjet industrializim dhe me borxhe historike mjedisore duhet të marrin drejtimin në uljen e lëshimeve në mënyrë të qëndrueshme dhe të japin kontribute më të mëdha në trajtimin e ndotjes dhe mbrojtjen e mjedisit, në vend që t'u ngarkojnë përgjegjësitë Kinës dhe vendeve të tjera në zhvillim," tha ambasadori i Kinës në Mbretërinë e Bashkuar Zheng Zeguang.

"Vepra, jo fjalë" dhe "multilateralizëm" ishin fjalët kyç në konferencën e shtypit, gjatë së cilës nuk u konfirmua nëse presidenti Xi Jinping do t’u bashkohet udhëheqësve të tjerë botërorë në COP26.

Të dy zyrtarët theksuan nevojën që vendet të zbatojnë plotësisht angazhimet e tyre sipas Marrëveshjes së Parisit për Klimën, duke shtuar se objektivat e paplotësuar bëhen parulla politike të zbrazëta.

Sipas tyre, Kina është e vendosur të mbajë premtimet e saj për të arritur lëshimin maksimal të karbonit deri në vitin 2030 dhe asnjanësimin e karbonit deri në vitin 2060, duke shtuar se fjalët do të mbështeten nga veprimet.

Zheng u bëri thirrje vendeve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë.

"Kina i mban gjithmonë premtimet e saj dhe nuk e ka zakon të thotë fjalë boshe," theksoi ai. "Ne e themi me të vërtetë atë që themi dhe i mbajmë premtimet."