Bashkimi Evropian deri tani ka eksportuar mbi një miliard vaksina anti-Covid 19 të prodhuara në vendet e unionit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se këto vaksina janë shërndarë në më shumë se 150 vende, përfshirë Japoninë, Turqinë, Britaninë e Madhe, Zelandën e Re, Afrikën e Jugut, Brazilin, ndërsa më shumë se 87 milionë doza janë dërguar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme përmes nismës COVAX, bën të ditur “Ansa”.

“Ne e kemi mbajtur premtimin tonë. Kemi ndarë gjithmonë kapacitetin tonë prodhues në mënyrë të barabartë me pjesën tjetër të botës, me të paktën një në dy doza të prodhuara në BE të dërguara jashtë vendit”, -tha von der Leyen.

Sipas saj, përveç eksporteve, BE-ja po bën pjesën e saj dhe do të dhurojë të paktën 500 milionë doza për vendet më të prekura. (Elona)