Shtetet e Bashkuara nuk do të bashkohen me bisedimet mbi Afganistanin të organizuara nga Rusia këtë javë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

"Ne nuk do të marrim pjesë në bisedimet e Rusisë", -u tha gazetarëve në një konferencë shtypi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, i cili shtoi se SHBA-ja nuk është në gjendje të bashkohet në bisedime për shkak të vështirësive logjistike, por se pala amerikane e mbështet procesin, bën të ditur “Xinhua”.

Ndërkohë, sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi se Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara për Pajtimin në Afganistan, Zalmay Khalilzad po largohet nga posti i tij dhe do të zëvendësohet nga zëvendësi i tij Thomas West.

Largimi i Khalilzad, i cili shërbeu si i dërguar special për Afganistanin edhe gjatë presidencës së Donald Trump, erdhi më pak se dy muaj pas tërheqjes së SHBA-së nga vendi.

I dërguari i posaçëm rus për Afganistanin, Zamir Kabulov tha të premten se Rusia kishte ftuar Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në bisedimet e ardhshme mbi Afganistanin në Moskë, të cilat do të fokusoheshin në rindërtimin pas konfliktit dhe ndihmën humanitare.

Rusia ka ftuar përfaqësuesit e talebanëve në takimin e planifikuar për 20 tetor. (Elona)