Çmimet e energjisë kanë alarmuar udhëheqësit evropianë dhe trazuan tregjet globale në javët e para të tetorit, duke ngritur shqetësimet për një krizë karburanti gjatë stinës së dimrit që mund të favorizojë Rusinë e pasur me gaz, njofton “Zëri i Amerikës”.

Në Evropë, çmimet e gazit natyror janë rritur gati 600% këtë vit nga shqetësimet se nivelet aktuale të ulëta të rezervave do të jenë të pamjaftueshme për dimrin. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, gazi natyror arriti rishtazi në bursë nivelet më të larta në 12 vite.

Me konsumatorët që përballen me një rritje të madhe në faturat e karburantit në dimër, çmimet e energjisë kanë kryesuar axhendën politike të Bashkimit Evropian.

BE-ja, e cila importon 90% të gazit të saj, vëren se Rusia nuk kishte ndjekur shembullin e furnizuesit tjetër të saj kryesor, Norvegjisë, në rritjen e furnizimeve.

Presidenti Vladimir Putin tha të mërkurën se Rusia po shtonte furnizimin me gaz në Evropë dhe ishte e gatshme të stabilizonte tregun. Por zëvendës drejtori i kompanisë ruse të gazit “Gazprom” u citua të ketë thënë se po vazhdonte magazinimi i gazit natyror në depozitat nëntokësore në Rusi.

Rezervat e gazit në BE janë në nivelin më të ulët prej 10 vitesh. (Fatosi)