Ish-presidenti amerikan Bill Clinton doli nga një spital i Kalifornisë Jugore, ku ishte trajtuar disa ditë për një infeksion jo të lidhur me koronavirusin, njofton “Xinhua”.

"Presidenti Clinton doli nga Qendra Mjekësore “UC Irvine”. Ethet dhe numri i qelizave të bardha të gjakut janë normalizuar dhe ai do të kthehet në shtëpi në Nju Jork për të përfunduar kurën me antibiotikë", -deklaroi dr. Alpesh N. Amin, shef i Departamentit të Mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë, Irvine, i cili kishte mbikëqyrur ekipin e mjekëve që trajtonin Clinton, në një deklaratë të shpërndarë në “Twitter” nga zëdhënësi i ish-presidentit Angel Urena.

Clinton, 75 vjeç, u shtrua të martën në mbrëmje në spital për një infeksion urologjik. Ai ndodhej në Kaliforninë e Jugut për një darkë për fondacionin jofitimprurës “Clinton”.

Clinton, anëtar i Partisë Demokratike, shërbeu si presidenti i 42-të amerikan nga vitet 1993 deri në 2001. (Fatosi)