Kina do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në nxitjen e negociatave për rifillimin e zbatimit të marrëveshjes bërthamore të Iranit, tha këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi të dielën, gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, princin Faisal bin Farhan Al Saud.

Marrëveshja e gjithanshme për çështjen bërthamore iraniane është një arritje e rëndësishme e multilateralizmit, shtoi ai.

Faisal vuri në dukje nga ana e tij se Arabia Saudite i kushton rëndësi të madhe rolit të veçantë të Kinës në çështjen bërthamore iraniane dhe pret që ajo të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e rifillimit të marrëveshjes bërthamore të Iranit dhe zgjidhjen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të çështjes.

Të dy palët gjithashtu ranë dakord të bëjnë përpjekje të përbashkëta për ngritjen dhe thellimin e nivelit të marrëdhënieve dypalëshe.

Përballë një situate të paqëndrueshme ndërkombëtare, Kina dhe Arabia Saudite duhet të ruajnë komunikimin e ngushtë strategjik, i cili është një pjesë e qenësishme e partneritetit të gjithanshëm strategjik midis dy vendeve, tha Wang.

Duke vënë në dukje se Kina gjithmonë u jep përparësi marrëdhënieve me Arabinë Saudite në diplomacinë e saj në Lindjen e Mesme, kryediplomati kinez tha se Kina është e gatshme të jetë një mike e mirë dhe partnere e besueshme dhe e qëndrueshme afatgjatë e Arabisë Saudite.