Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin pritet të vizitojë Evropën, për të biseduar me aleatët rreth shqetësimeve për Rusinë, si dhe se ku duhet të përqëndrohet NATO pas përfundimt të tërheqjes nga Afganistani, njofton “Zëri i Amerikës”.

“Sekretari Austin do të vizitojë Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Rumaninë dhe do ta përfundojë vizitën e rëndësishme me aleatët dhe partnerët në Bruksel, në ministerialin e NATO-s për Mbrojtjen”, -tha John Kirby, sekretar shtypi i Pentagonit.

Gjeorgjia, Ukraina dhe Rumania kanë vijë kufitare me Detin e Zi që shërben si pikë kalimi për Rusinë drejt rrugëve të rëndësishme tregtare në Mesdhe. Rumania është vend anëtar i NATO-s, ndërsa Ukraina dhe Gjeorgjia janë vende aspirante. Të dyja këto vende janë pjesërisht të pushtuara nga Rusia ose forca të mbështetura prej saj.

Roli udhëheqës i SHBA-së është kritikuar pas mënyrës se si u mbyll në gusht lufta në Afganistan. Talebanët, armiq të forcave afgane dhe ndërkombëtare prej dy dekadash, janë rikthyer në pushtet dhe shumë përparime të shoqërisë afgane po humbasin.

Zyrtarët e mbrojtjes i thanë Zërit të Amerikës se Sekretari Austin dhe aleatët e NATO-s do të diskutojnë javën e ardhshme se ku do të përqëndrohen ushtarakisht, tashmë që forcat e NATO-s janë larguar nga Afganistani. (Fatosi)