Sipas njoftimit të së martës të gazetës amerikane “The Washington Post”, ndërmarrjet amerikane të lidhura me energjinë diellore janë të pakënaqura me ngritjen nga qeveria të tarifave të importit. Ato janë të shqetësuara se kjo masë do të shkaktojë shkurtimin masiv të vendeve të punës dhe do të pengojë realizimin e objektivit të mbrojtjes së mjedisit.

Në njoftim thuhet se Shoqata e Industrisë së Energjisë Diellore, me seli në Uashington, publikoi të hënën një raport, ku vihet në dukje se parashikohet që vendosja e tarifave doganore ndaj produkteve të energjisë diellore nga Malajzia, Vietnami, Tajlanda dhe vende të tjera të Azisë Juglindore do të shtojë koston e ndërmarrjeve dhe do të shkaktojë humbjen e vendeve të punës. Si pasojë, vëllimi i instaluar i pajisjeve të energjisë diellore në vitet 2022 e 2023 do të pakësohet me një të tretën e parashikimit.

Sipas njoftimit, një pjesë e prodhuesve amerikanë të baterive diellore i kanë kërkuar qeverisë të zhvillojë hetim ndaj fabrikave të hapura nga ndërmarrjet kineze në vendet e Azisë Juglindore, nën pretekstin e kërcënimeve nga produktet e importuara nga Kina, dhe të vendosë tarifa më të larta doganore ndaj këtyre produkteve.

Në njoftim thuhet se objektivi i administratës së Bidenit është shtimi në përmasë të madhe i peshës specifike të energjisë diellore në furnizimin energjetik para vitit 2035, në ndihmë të realizimit të objektivit të pakësimit të shkarkimit. Një funksionar amerikan ka thënë më parë se, për realizimin e këtij objektivi, ritmi i përhapjes së baterive diellore duhet të shpejtohet me 2-3 herë, por prodhuesit amerikanë përkatës nuk mund të plotësojnë këtë kërkesë si për sa i përket numrit të ndërmarrjeve, ashtu edhe kapacitetit të tyre prodhues. (Wang Lei/ Artan)