Duhanpirësit kanë 60 deri në 80 për qind më shumë gjasa të shtrohen në spital nëse infektohen me koronavirus dhe gjithashtu vdesin më shpesh nga Covid-19, tregojnë të dhënat e një studimi të kryer në Universitetin e Oksfordit.

Autorët e studimit u mbështetën në të dhënat mjekësore, rezultatet e testit të koronavirusit, të dhënat e pranimit në spital dhe certifikatat e vdekjes për të identifikuar lidhjen midis pirjes së duhanit dhe koronavirusit nga janari deri në gusht 2020.

Ata gjithashtu përdorën të dhëna nga 421.469 pjesëmarrës në një studim të mëparshëm britanik. Krahasuar me ata që nuk pinin duhan, duhanpirësit kishin 80 për qind më shumë gjasa të shtroheshin në spital dhe dukshëm më shumë gjasa të vdisnin nëse infektoheshin, shkruan “The Guardian”.

Ekipi përdori një teknikë të quajtur “Mendel randomization” dhe në veçanti mori parasysh faktorët gjenetikë që rrisin gjasat që dikush të jetë duhanpirës. Teknika vuri në dukje një lidhje midis pirjes së duhanit dhe rezultateve më të dobëta të Covid-19, duke zbuluar se një predispozitë gjenetike ndaj pirjes së duhanit ishte e lidhur me një rrezik 45 për qind më të lartë të infeksionit dhe një rrezik 60 për qind më të lartë të shtrimit në spital.

Predispozita gjenetike ndaj pirjes së duhanit “të rëndë” u shoqërua me dyfishin e rrezikut të infeksionit, një rrezik pesëfish më i lartë i pranimit në spital dhe një rrezik dhjetëfish më i lartë për të vdekur nga virusi, zbuloi ekipi. (Elona)