“Çmimi për të Drejtën e Jetesës”, i njohur si "Nobeli alternativ", -iu dha të mërkurën tre aktivistëve dhe një organizate që punojnë në të gjithë globin për të fuqizuar komunitetet në fusha që fillojnë nga mbrojtja e fëmijëve deri te mbrojtja e mjedisit. Marthe Wandou, aktiviste e paqes nga Kameruni, aktivisti rus mjedisor Vladimir Slivyak, Freda Hudson, avokate për të drejtat autoktone në Kanada si dhe “Iniciativa Ligjore e Pyjeve dhe Mjedisit” e Indisë janë fituesit e këtij viti, njoftoi fondacioni me qendër në Stokholm, që ndan çmimin.

Fondacioni suedez njoftoi se përballë përkeqësimit të krizës klimatike, interesave të fuqishme qeveritare dhe korporative, dhe madje edhe një kërcënimi terrorist, laureatët e vitit 2021 dëshmojnë se solidariteti është çelësi për një të ardhme më të mirë për të gjithë, citon “AP”.

“Këta aktivistë jo vetëm që po rezistojnë, por po mobilizojnë në mënyrë aktive komunitete të tëra për të kërkuar të drejtat e tyre, duke u bërë agjentë të ndryshimit aty ku qeveritë dështojnë”, -tha drejtori i fondacionit, Ole von Uexkull. (Elona)