Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi theksoi tre rreziqet e fshehta të shkaktuara nga bashkëpunimi i propozuar nga ShBA-ja, Britania dhe Australia në teknologjinë e nëndetëseve bërthamore.

Kryediplomati kinez e tha këtë të martën gjatë një videolidhjeje, ndërsa kryesoi bashkë me Komisionarin e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë të BE-së Josep Borrell raundin e 11-të të dialogut strategjik të nivelit të lartë midis Kinës dhe BE-së.

Wang tha se ShBA-ja, Britania dhe Australia kanë formuar një partneritet trepalësh të sigurisë dhe po përpiqen të realizojnë bashkëpunimin në fushën e nëndetëseve bërthamore, duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare ka treguar shqetësim të madh për këtë zhvillim, veçanërisht vendet e Azi-Paqësorit.

Ai theksoi se Kina beson se ky veprim do të sjellë tre rreziqe kryesore të fshehta për paqen e stabilitetin e rajonit, si dhe për rendin ndërkombëtar.

Së pari, ai do të shkaktojë rrezikun e fshehtë të përsëritjes së Luftës së Ftohtë. Tre vendet kanë vizuar linjat ideologjike dhe kanë formuar një bllok të ri ushtarak, gjë që do të acarojë tensionet gjeopolitike.

Së dyti, ai do të pasohet me rrezikun e fshehtë të garës së armatimeve, duke nxitur disa vende në rajon të shpejtojnë zhvillimin ushtarak dhe duke shtuar rreziqet e konflikteve ushtarake.

Së treti, ai do të shkaktojë edhe rrezikun e fshehtë të përhapjes së armëve bërthamore. Një veprim i tillë do të ndikojë në sistemin e mospërhapjes së armëve bërthamore, do të dëmtojë Traktatin e Zonës pa Armë Bërthamore në Paqësorin Jugor dhe do të minojë përpjekjet e vendeve të ASEAN-it për krijimin e një zone pa armë bërthamore në rajon.

“U bëjmë thirrje tre vendeve të përshtaten me prirjen e kohës dhe të luajnë rol konstruktiv në paqen e stabilitetin rajonal,” tha kreu i diplomacisë kineze. (Wang Lei/ Artan)