“Facebook” njoftoi se ka pezulluar punën për një version të Instagram-it për fëmijët nën 13 vjeç, në përgjigje të kritikave në emër të shëndetit mendor të fëmijëve.

Kreu i Instagram-it, Adam Mosseri, mbrojti përpjekjet e kompanisë së tij ndërsa njoftoi lëvizjen në një postim në blog. Ndërtimi i një platforme për fëmijët e moshës 10-12 vjeç është ende "gjëja e duhur për të bërë", shkroi Mosseri. Megjithatë, grupi thotë se do të marrë më shumë kohë për të punuar me prindërit, ekspertët dhe hartuesit e politikave, për të treguar vlerën dhe domosdoshmërinë e këtij shërbimi.

Pezullimi vjen pas një hetimi të fundit të “Wall Street Journal”, i cili zbuloi se Instagram-i është i dëmshëm për shumë adoleshentë, veçanërisht vajzat adoleshente. Hetimi tregoi një lidhje midis përdorimit të rrjeteve sociale dhe “rritjes së shqetësimit psikologjik dhe sjelljes vetëvrasëse midis të rinjve”, -bën të ditur rrjeti “CNBC”.

“Pezullimi i zbatimit të “Instagram Kids” nuk do të thotë që grupi pranon se projekti është një ide e keqe”, -siguron “Facebook”.

Ndërsa pret të rifillojë zhvillimin e versionit për më të rinjtë, rrjeti social thotë se dëshiron të vazhdojë instalimin e mjeteve të reja për të “lejuar prindërit të mbikëqyrin llogaritë e fëmijëve të tyre” në “Instagram”. (Elona)