Tajlanda njoftoi një plan për të hequr dorë nga kërkesa e detyrueshme e karantinës për vizitorët plotësisht të vaksinuar që mbërrijnë nga nëntori në kryeqytetin Bangkok dhe disa pika të nxehta turistike në nëntë rajone të tjera, mes përpjekjeve për të ringjallur sektorin e turizmit dhe rritjen ekonomike, shkruan “Xinhua”.

Vendi i Azisë Juglindore planifikoi të rihapte Bangkokun dhe disa destinacione turistike si Krabi, Hua Hin, Pattaya dhe Koh Phayam, pas rihapjes së ishujve Phuket dhe Samui në skema pilot që nga korriku, bëri të ditur Qendra për Administrimin e Situatës Covid-19 (CCSA).

Sektori i turizmit, i cili përbënte rreth një të pestën e rritjes së PBB-së së vendit para pandemisë, është goditur rëndë pas më shumë se një viti të kontrollit kufitar. Ardhjet e turistëve të huaj ranë në 6.7 milionë në vitin 2020 nga një kulm prej gati 40 milionësh në 2019-n.

Masat lehtësuese erdhën gjithashtu ndërsa qeveria tajlandeze po përpiqet të përshpejtojë përhapjen e vaksinës ndërsa po përgatitet për rihapjen.

Autoritetet tajlandeze miratuan të hënën planet për të blerë më shumë vaksina “AstraZeneca” dhe “Pfizer. Që nga e diela, Tajlanda ka administruar më shumë se 50 milionë doza të vaksinës anti-Covid-19, me më shumë se 25 për qind të popullsisë së saj të vaksinuar plotësisht. (Fatosi)