Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar rënien më të madhe të jetëgjatësisë prej Luftës së Dytë Botërore, ka treguar një studim i publikuar në revistën shkencore “International Journal of Epidemiology”, cituar nga “Radio Evropa e Lirë”.

Të dhënat e siguruara nga 29 shtete, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe Kilin, kanë treguar se përparimi në jetëgjatësi është kthyer mbrapsht, si pasojë e pandemisë.

“Fakti që të dhënat tona flasin për një ndikim të madh, të lidhur me pandeminë, tregon sa shkatërruese dhe shokuese ka qenë pandemia në shumë shtete”, -deklaroi mjekja Ridhi Kashyap, bashkudhëheqëse e studimit.

Në 22 nga 29 shtetet e analizuara, jetëgjatësia ka rënë për më shumë se gjashtë muaj, në krahasim me 2019.

Në shumicën e shteteve, burrat kanë rezultuar më keq sesa gratë. Burrat në Shtetet e Bashkuara janë përballur me humbjen më të madhe të jetëgjatësisë, 2.2 vjet, në krahasim me 2019-n, të ndjekur nga burrat në Lituani me një ulje prej 1.7 vjet.

Në Shtetet e Bashkuara, rritja e vdekshmërisë është raportuar kryesisht te personat nën moshën 60-vjeçare, ndërsa në Evropë viktimat kanë qenë kryesisht mbi moshën 60-vjeçare.

Studimi është kryer duke analizuar të dhënat e vitit 2020, gjatë së cilit, 1.8 milionë persona kanë vdekur si pasojë e pandemisë në gjithë botën.

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, nga marsi 2020 kur shpërtheu pandemia, e deri tani, janë regjistruar rreth 4.7 milionë viktima me koronavirus në botë. (Fatosi)