Pothuajse dy të tretat e votuesve zviceranë kanë përkrahur martesat e të njëjtës gjini, në një referendum të mbajtur në fundjavë, njofton “Radio Evropa e Lirë”.

Rreth 64 për qind e votuesve kanë përkrahur këtë propozim, duke e bërë kështu Zvicrën një nga vendet e fundit në Evropën Perëndimore që legalizon martesën mes së njëjtës gjini.

Pjesëtarë të fushatës për këto martesa kanë përshëndetur votimin, duke e konsideruar moment historik për të drejtat e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) në këtë shtet.

Grupet e kishave dhe partitë politike konservatore kanë kundërshtuar idenë, duke thënë se dëmton familjen tradicionale.

Zvicra u ka mundësuar çifteve të së njëjtës gjini që të regjistrojnë partneritetin nga viti 2007, mirëpo disa të drejta kanë qenë të kufizuara. Vendimi i ri ua mundëson këtyre çifteve që të adoptojnë fëmijë.

Zvicra tani është kthyer në vendin e 30-të në botë që ka lejuar martesa të tilla.

Përgjatë 20 vjetëve të fundit, shumica e vendeve në Evropën Perëndimore kanë miratuar martesat e të njëjtës gjini. (Fatosi)