Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin Total të Armëve Bërthamore, deklaroi se armët bërthamore duhet të eliminohen nga bota dhe duhet të fillojë një epokë e re e dialogut, besimit dhe paqes, njofton “Xinhua”.

“Adresimi i kërcënimit të armëve bërthamore ka qenë në qendër të punës së Kombeve të Bashkuara që nga fillimi i saj. Në vitin 1946, rezoluta e parë e Asamblesë së Përgjithshme kërkoi eliminimin e armëve atomike nga armët kombëtare dhe të gjitha armëve të tjera të mëdha të adaptueshme për shkatërrimin në masë”, -tha shefi i OKB-së.

Ai vuri në dukje se megjithëse numri i përgjithshëm i armëve bërthamore është zvogëluar për dekada, rreth 14.000 janë grumbulluar në të gjithë botën, i cila po përballet me nivelin më të lartë të rrezikut bërthamor në pothuajse katër dekada.

"Tani është koha për të hequr përgjithmonë këtë re, për të eliminuar armët bërthamore nga bota jonë", -tha Guterres. (Fatosi)