Komisioni Evropian propozoi kabllot USB-C si një standard të unifikuar për teknologjinë e karikimit të smartphone-ve në të gjithë bllokun, njofton “Deutche Welle”.

Propozimi krijon një përplasje të mundshme midis BE-së dhe “Apple”, e cila deri tani i ka rezistuar përpjekjeve për të imponuar një lloj karikuesi universal.

BE-ja ka kërkuar prej kohësh një karikues standard për të gjithë smartphone-t.

Brukseli thotë se situata aktuale, në të cilën ka tre opsione kryesore të karikuesit, është "e papërshtatshme".

"Konsumatorët evropianë janë të zhënjyer prej kohësh me karikuesit e papërdorshëm që grumbullohen në sirtarët e tyre", -tha nënkryetarja ekzekutive e BE-së Margrethe Vestager në një deklaratë.

"Ne i dhamë industrisë shumë kohë për të dalë me zgjidhjet e saj, tani është koha për veprime legjislative për një karikues të njëjtë", -tha ajo.

Celularët e “Apple” përdorin ngarkues Lightning, ndërsa prodhuesit e tjerë përdorin ato micro-USB. Sidoqoftë, karikuesit USB-C, të cilët po përdoren gjithnjë e më shumë, do të ishin opsioni i preferuar i BE-së.

"Me gjithnjë e më shumë pajisje, shiten gjithnjë e më shumë karikues që nuk janë të këmbyeshëm ose jo të nevojshëm. Ne po i japim fund kësaj", -tha komisioneri për Tregun Unik të BE-së, Thierry Breton.

Vendosja e USB-C si një standard kabllor në një tregun masiv mund të ketë një efekt vendimtar në tregun global të telefonave inteligjentë. (Fatosi)