Kina vlerëson mbështetjen e fortë të Emirateve të Bashkuara Arabe në çështjet që kanë të bëjnë me interesat dhe shqetësimet kryesore të Kinës, si dhe mbështet me vendosmëri Emiratet në rrugëtimin e zhvillimit në përputhje me kushtet kombëtare, deklaroi Këshilltari kinez i Shtetit dhe ministri i Jashtëm Wang Yi, gjatë një bisede telefonike me homologun arab, sheikun Abdullah bin Zayed al-Nahyan, përcjell “CGTN”.

Wang tha se marrëdhëniet Kinë-Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbajtur gjithmonë një pozicion të rëndësishëm në diplomacinë kineze të Lindjes së Mesme. “Ne mbështesim fort Emiratet e Bashkuara Arabe në ruajtjen e sovranitetit, sigurisë dhe stabilitetit. Kina është e gatshme të punojë me EBA-n për të respektuar normën bazë të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në mbrojtjen e barazisë dhe drejtësisë ndërkombëtare”, -tha Wang.

Duke vënë në dukje rezultatet e rëndësishme të bashkëpunimit Kinë-Emiratet e Bashkuara Arabe për vaksinat, Wang tha se Kina do të vazhdojë të bëjë çmos për të siguruar nevojat e prokurimit të vaksinave për EBA-n.

Nga ana e tij, sheiku Abdullah tha se Emiratet e Bashkuara Arabe vlerësojnë shumë arritjet e mëdha të bëra nga Partia Komuniste e Kinës në 100 vitet e fundit dhe beson se prosperiteti dhe përparimi i Kinës kanë rëndësi të madhe në promovimin dhe zhvillimin botëror. EBA i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën, shtoi ai, dhe falënderoi Kinën për mbështetjen e fortë në luftën kundër epidemisë. “EBA i përmbahet parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe mbështet me vendosmëri politikën e “Një Kine”, -theksoi ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe. (Irma)