Portugalia është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit në botë, bëhet e ditur nga të dhënat e “Our World In Data”.

Sipas medieve të huaja, rreth 84% e popullsisë në Portugali tani është plotësisht e vaksinuar. Kjo është norma më e lartë në botë, para Emirateve të Bashkuara Arabe me 80.8%, Singaporit 77.3%, Kinës 70.8% dhe Mbretërisë së Bashkuar 65.3%.

Qëllimi i Portugalisë për të vaksinuar me dy doza 85 për qind të popullsisë së saj tani është i arritshëm dhe vendi pritet të lehtësojë disa nga masat e vendosura për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Nga të dhënat e publikuara në tabelën e “Our World In Data”, në Bashkimin Evropian është arritur vaksinimi i rreth 61.6% të popullsisë, ndërsa në botë, 32%.

Bazuar në të dhënat e “Worldometer”, faqja që përpilon informacionet mbi virusin, Portugalia deri më tani ka regjistruar rreth 1 milion raste të koronavirusit dhe më shumë se 17 mijë viktima. (Irma)