Autoritetet e Tajvanit kanë aplikuar për t'u bashkuar me Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit (CPTPP) vetëm disa ditë pasi pjesa kontinentale e Kinës paraqiti aplikimin e saj.

Tregtia sjell përfitime për të gjithë. Gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar, Kina shtoi lidhjet tregtare me pjesën tjetër të botës si pjesë e politikës së saj të Reformës dhe Hapjes. Kina u bashkua me organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) në vitin 1991 dhe Organizatën Botërore të Tregtisë më 2001, dy zhvillime këto që ndihmuan në integrimin e vendit në ekonominë globale dhe në prodhimin e një pasurie globale të paparë. Ato ndihmuan edhe në rritjen ekonomike të Kinës që nga vitet ’80 dhe në nxjerrjen e më shumë se 700 milionë kinezëve nga varfëria, një arritje e paparë në historinë njerëzore. Kina ka eliminuar me sukses varfërinë absolute brenda kufijve të saj.

Sidoqoftë, tregtia kohët e fundit është përqendruar më shumë në lojëra fuqish sesa në kërkimin e përfitimeve për publikun. Është një pyetje e hapur nëse aplikimi nga zyrtarët e Partisë Progresive Demokratike në Tajvan ka për qëllim të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së ishullit dhe të ndihmojë banorët e tij, apo është një dredhi e separatistëve për të hedhur një hap drejt pavarësisë. Ka pak dyshim se vende si Shtetet e Bashkuara dhe Australia do të donin ta përdornin këtë aplikim për t’i bërë keq Kinës.

Cilido qoftë qëllimi, sovraniteti i Kinës nuk mund të shkelet. Në fillim të këtij muaji, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin tha se pjesëmarrja e rajonit të Tajvanit në bashkëpunimin ekonomik rajonal duhet të trajtohet në përputhje me parimin e “Një Kine”. Kurse zëdhënësi Zhao Lijian e bëri të qartë më 23 shtator se Kina kundërshton me vendosmëri aderimin e rajonit të Tajvanit në çdo marrëveshje ose organizatë zyrtare dhe çdo formë shkëmbimesh zyrtare midis rajonit dhe vendeve të tjera.

Kur shtrohet pyetja nëse aplikimi i Tajvanit për t'u përfshirë në CPTPP mund të ndihmojë forcat separatiste të rajonit, është e rëndësishme të mbahet mend se marrëdhëniet diplomatike të Kinës me pjesën tjetër të botës, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe të gjitha fuqitë kryesore, janë të bazuara në parimin e një Kine. Kur Tajvani donte të anëtarësohej në APEC dhe OBT, kjo u bë nën emrin “Taipei Kinez”. Ai iu bashkua OBT-së si "Territori i Veçantë Doganor i Tajvanit, Penghu-së, Kinmen-it dhe Matsu-së", duke treguar njohjen globale të parimit të “Një Kine”.

Çdo diskutim rreth Tajvanit duhet të bazohet mbi faktin se Tajvani është pjesë e Kinës. Çështjet e sovranitetit nuk duhet të trajtohen si lojëra politike nga politikanët e Partisë Progresive Demokratike në Tajvan. Dëshirat dhe përpjekjet e vërteta që sjellin marrëdhënie më të mira ndërmjet brigjeve të ngushticës janë gjithmonë të mirëpritura, ndërsa çdo aludim i separatizmit ose shtytjes drejt pavarësisë nuk do të ishte. Kjo është “vija e kuqe” dhe askush nuk duhet të përpiqet ta testojë atë.