Pas marrjes së kontrollit në Afganistan, talebanët duan të flasin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe të përfaqësojnë vendin në skenën botërore.

Në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ministri i Jashtëm i talebanëve, Amir Khan Muttaqi, kërkoi të drejtën për të folur në debatin e përgjithshëm në OKB, aktualisht në zhvillim.

Kërkesa e talebanëve u bë përmes një letre drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.

Përveç kërkesës për pjesëmarrje në mbledhjen vjetore të OKB-së, në letër thuhej se talibanët po caktonin një përfaqësues të ri të përhershëm në OKB, Mohammad Suhail Shaheen, bën të ditur “BBC”.

Shaheen ka qenë një zëdhënës i talebanëve gjatë negociatave të paqes në Katar.

Ende nuk dihet se si do të vendosë për kërkesën e talebanëve një panel i OKB-së që merret me këto çështje.

Letra e talebanëve drejtuar Guterres thotë se ish-presidenti afgan Ashraf Ghani ishte rrëzuar që nga 15 gushti dhe se vendet në të gjithë botën “nuk e njohin më atë si president”. Prandaj ambasadori aktual i akredituar afgan, Ghulam Isaczai, nuk e përfaqëson më Afganistanin.

Përfaqësuesi i Afganistanit pritet të mbajë fjalimin në ditën e fundit të takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 27 shtator. (Elona)