Mijëra punonjës shëndetësorë në Francë të cilët nuk u vaksinuan kundër Covid-19 para afatit të caktuar nga autoritetet janë pezulluar nga puna pa pagesë, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran, gjatë një interviste për radion “RTL”.

“Rreth 3000 pezullime u njoftuan për punonjësit në qendrat shëndetësore dhe klinikat të cilët ende nuk janë vaksinuar”, -tha Veran, i cili saktësoi se ishin të shumtë ata që kishin dhënë dorëheqjen në vend që të vaksinoheshin kundër Covid-19.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në korrik dha ultimatum për stafin shëndetësor në spitale, shtëpitë e kujdesit dhe shërbimin zjarrfikës që të kishin marrë të paktën një dozë vaksine deri në 15 shtator, ose do të përballeshin me pezullim të papaguar.

Shumë infermierë në veçanti kanë ngurruar të vaksinohen, duke përmendur shqetësimet e sigurisë ose efikasitetit, duke sjellë kështu rrezikun e ngecjes së fushatës së vaksinimit në Francë, bën të ditur “AFP”.

Agjencia kombëtare e Shëndetit Publik në Francë vlerësoi javën e kaluar se afërsisht 12% e stafit të spitaleve dhe rreth 6% e mjekëve në strukturat private ende nuk janë vaksinuar. (Irma)