Komisioni teknik përgjegjës për vendimet mbi vaksinat në Spanjë ka autorizuar administrimin e një doze të tretë kundër Covid-19 për rezidentët e qendrave të të moshuarve dhe për disa kategori pacientësh me sëmundje serioze, si për shembull ata me kancer.

Njoftimi është dhënë përmes një deklarate shtypi nga Ministria spanjolle e Shëndetësisë, përcjellë nga “Ansa”.

Javën e kaluar doza shtesë u autorizua për personat që i janë nënshtruar transplantit të organeve ose transplantit të qelizave burimore hematopoietike dhe te personat e trajtuar me barna anti Cd-20, që i përkasin klasës së antitrupave monoklonalë. (Irma)