Qendra industriale e Zhuzhou, në Kinën qendrore, lançoi shërbimin e transportit të kombinuar detar-hekurudhor drejt Afrikës. Një tren mallrash që transportonte 1935 tonë ndihma materiale nga Kina për në Afrikë u nis nga qyteti i provincës Hunan, duke startuar kështu një rrugë të re që lidh qytetet e provincës Hunan dhe Guangdong në Kinën jugore para se mallrat të transferohen në një anije për portet afrikane. Dërgesa e parë e mallrave duhet të mbërrijë në portin e Mombasa-s, në Kenia, më 15 tetor, citon “Xinhua”.

Guo Ning, zyrtar i Doganave në Hunan, deklaroi se faza e parë e shërbimit të kësaj linje transporti duhet të mbulojë 11 porte detare afrikane dhe 20 itinerare hekurudhore në Afrikë.

Krahasuar me transportin tradicional det-lumë, shërbimi i transportit detar-hekurudhor mund të zvogëlojë me rreth 10 ditë kohën logjistike drejt Afrikës Lindore dhe Perëndimore, duke kursyer kështu 3% të kostove të transportit. (Irma)