Revista e njohur mjekësore “The Lancet” ka dalë në përfundimin se vaksinat janë mjaftueshëm efikase që të parandalojnë të sëmurit rëndë nga COVID-19 dhe thonë se aktualisht nuk ka nevojë që popullata e përgjithshme të marrë një dozë të tretë të vaksinës. Përfundimi i shkencëtarëve, përfshirë dy zyrtarë të lartë të Administratës së Ushqimit dhe Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, erdhi ndërsa studimet vazhdojnë të tregojnë se vaksinat e autorizuara të Covid janë shumë efektive kundër sëmundjes. Disa shtete kanë filluar që të ofrojnë doza shtesë nga frika e variantit më ngjitës, Delta, që ka detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë të bëjë thirrje për moratorium sa i përket dozave të treta, pasi në vendet e varfra miliona persona ende nuk kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Por raporti i përpiluar nga shkencëtarët del në përfundimin se me kërcënimin e Deltës dozat përforcuese në popullatë nuk janë të përshtatshme në këtë fazë të pandemisë.

Sipas autorëve, studimet e tanishme nuk japin të dhëna të besueshme për rënien substanciale të mbrojtjes kundër sëmundjes së rëndë, që është qëllimi kryesor i vaksinimit. Ata pranojnë se dozat përforcuese mund të jenë të nevojshme për popullatën e përgjithshme nëse imuniteti i shkaktuar nga vaksina dobësohet edhe më shumë ose shfaqet një variant i ri. (Elona)